Nga Klaudio Ndreca
Nëse ka një atmosferë pozitive dhe dritë të madhe në fundin e tunelit, padyshim që vjen nga Shqipëria U-21. Talentet e drejtuar nga Alban Bushi po bindin në takimet e fundit duke dhuruar një lojë të bukur dhe mbi të gjitha, duke korrur rezultatet. Pavarësisht luhatjeve që ka pasur përgjatë këtyre kualifikueseve duke bërë dhe hapa të gabuar, nuk duhet të harrojmë se Shqipëria U-21 është në funksion të Kombëtares A.
Thuajse asnjëherë Alban Bushi nuk ka pasur të njëjtët lojtarë në dispozicion për takimet kualifikuese për shkakun e daljes jashtë forme të disa prej futbollistëve në Kombëtaren A dhe dëmtimet e tyre, që kushtëzojnë trajnerin e parë për të kërkuar nga “akademia”, U-21. Në mbrëmjen e sotme do të luhet një finale më vete në Prishtinë, atje ku Kosova U-21 përballet me Austrinë U-21. Shqipëria do ta mposhte në transfertë në shifrat 1-5, ndërsa nëse edhe dardanët ia dalën të marrin tre pikët, atëherë shpresat do të ndizeshin si kurrë më parë.
Shqipëria do të mbetej 1 pikë larg Ausrisë, ndërsa Kosova do të gjendej me 3 pikë më pak se ta, por një ndeshje më tepër për të luajtur. Kur kanë mbetur edhe dy ndeshje nga fundi për Shqipërinë e Bushit, ky rezultat që duhet të vijë nga Prishtina është e vetmja mënyrë për të shpresuar. Nëse Austria do të triumfonte ndaj Kosovës, atëherë vetëm matematika na mban ende në lojë. /Sport Ekspres/