Mbrëmjen e nesërme Kosova luan ndeshjen më të rëndësishme të saj. Prej Maqedonisë së Veriut nis edhe ëndrra për një biletë në finalet e Euro 2021. Trajneri Shaland ka qenë i pranishëm në konferencën e zakonshme për shtyp në prag të përballjes, duke shuar kureshtjen e gazetarëve.
Tekniku zvicerian ka theksuar faktin se vetëm 2 vite më parë kjo ndeshje mund të shihej thjesht si një ëndërr, ndërsa tani është kthyer në diçka të prekshme dhe reale. Kaq mjafton për të treguar se sa larg ka shkuar Kosova në kaq pak vite. Ndërkohë Shaland shpreh edhe dëshirën e madhe për të luajtur me tifozë, edhe nëse këta të fundit do të ishin të gjithë të ekipit kundërshtar.
“2 vite e gjysmë më parë, në takimin e parë me ekipin kemi folur rreth një ndeshjeje të tillë jo si objektiv për tu arritur apo target, por si një ëndërr e cila tashmë edhe është arritur.
Tani ka ardhur momenti kur ëndrren mund ta prekim, kemi disa probleme dhe nuk jemi në situaten perfekte, por Kosova si Kombëtare e futbollit por edhe si shtet ka treguar se di si ti kaloj situatat e vështira.
Do doja që ndeshja të zhvillohej me tifozë, se dihet energjia dhe gjithçka, unë do ta përkrahja vendimin nëse do të kishte prezent vetëm tifozë të ekipit kundërshtar”, është shprehur Shaland./Halit Delibashi-Sport Ekspres/