Ndryshime në listë/ Selmani zëvendëson Berishën dhe Strakoshën, debutimi i Kamberit zvarritet përsëri

Lista e Kombëtares shqiptare për dy ndeshjet e tetorit në Ligën e Kombeve ka pësuar ndryshime dhe situata e krijuar nga pandemia bëhet sërish shkaktare për këtë gjë. Dy portierët kryesorë të Shqipërisë, Tomas Strakosha, i cili ka probleme fizike, si dhe Etrit Berisha, që nuk lejohet nga klubi të lëvizë jashtë Italisë do të mungojnë në grumbullimin kuqezi. Për këtë arsye në Kombëtaren A vjen një talent si Gentian Selmani, si dhe në gatishmëri për të mbojtur katërkëndëshin është edhe Alban Hoxha.

Ndërkohë debutimi vijon të zvarritet sërish për Florian Kamberin, që sërish nuk merr dritën jeshile për t’u larguar nga Zvicra për shkak të Covid-19, situatë në të cilën ndodhen edhe Ramadani, Selahi apo edhe Gjasula. Kufizime janë vendour edhe nga Juventusi për Xhakomo Vrionin, ardhja e të cilit mbetet ende në duart e klubit bardhezi. Në dyshim është edhe mbrojtësi Jon Mersinaj, por për këtë të fundit shkak bëhen problemet fizike./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Njoftimi i FSHF-së:

Lista e Kombëtares shqiptare për dy ndeshjet e Nations League ndaj Kazakistanit dhe Lituanisë do të pësojë sërish ndryshime për shkak të pandemisë COVID-19 dhe problemeve që janë hasur me klubet.

Etrit Berisha, Ylber Ramadani, Florian Kamberi, Lindon Selahi dhe Klaus Gjasula nuk do të jenë të gatshëm për dy ndeshjet e radhës, pasi nuk lejohen nga klubet të dalin jashtë vendeve respektive.

Ndërkaq, edhe Giacomo Vrioni nuk është lejuar për momentin për shkak të kufizimeve dhe nëse klubi i tij, Juventusi do t’i japë leje ai mund të bashkohet me kuqezinjtë të mërkurën mbrëma ose të enjten në mëngjes.

Edhe portieri Thomas Strakosha ka shfaqur probleme fizike dhe është në pikëpyetje për ndeshjet e tetorit. Për këtë arsye trajneri Reja ka vendosur të thërrasë portierët Alban Hoxha dhe Gentian Selmani.

Probleme fizike ka shfaqur edhe mbrojtësi Jon Mersinaj, i cili është duke u monitoruar nga stafi mjekësor vazhdimisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *