Ndeshja e dytë e Marashit/ Italia dashurohet me mbrojtësin e Shqipërisë, vlerësimi: Cilësi të rralla, për të janë të natyrshme

Nga Klaudio Ndreca

Futbollistë në nivelin e Marash Kumbullës janë vërtet të rrallë për Kombëtaren e Shqipërisë. I ri në moshë dhe me mënyrën e t’u paraqiturit në fushën e blertë si të kishte kaq shumë vite në futbollin profesionist. Ajo që duhet të kujtojmë shpeshherë është se Kumbulla ka luajtur për herë të parë në futbollin “e vërtetë” vetëm në sezonin që lamë pas në Seria A.

Gjatë kohës kur Verona ishte pjesë e Serisë B, jo vetëm që nuk e aktivizonte, por ishin të rralla rastet që Kumbulla mund të përfshihej edhe në stol. Teksa papritur trajneri Juriç nisi ti besonte në ndeshjet miqësore përpara nisjes së kampionatit dhe aty lindi historia e Marashit, që me siguri është ende në faqet e para.

Pas shpërthimit te Verona do të mbërrinte edhe kalimi te Roma. Ndeshja e parë ndaj Juventusit e tregoi saktësisht se drejtuesit e Romës nuk kishin gabuar me blerjen e tyre, përkundrazi. Por edhe në takimin e dytë ndaj Udinezes, ku ekipi i Fonescas fitoi në shifrat 0-1 falë kryeveprës së Pedros, vlerësimi i Kumbullës është i lartë.

Për “Tuttomercatoweb” vlerësimi është për notën 6.5: “Mësimi për të në praktikë vazhdon si normalisht. I ftohtë, elegant në lojë, me rregullsi. Cilësi të rralla këto, por jashtëzakonisht e natyrshme për rastin e tij. Me lehtësi të madhe e kryen detyrën në rolin e konsoliduar në të majtën me tre qendërmbrojtës”. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *