Tirana i dha fund ëndrrës europiane pa pasur mundësinë të mbërrinte në grupet e Europa League, megjithëse edhe arritja deri në fazën play off mund të konsiderohet një sukses. Tashmë sytë e bardhebluve janë kthyer nga kampionati, ku synojnë sërish titullin kampion. Këtë e konfirmon edhe vetë presidenti Halili, i cili ka dhënë një intervistë për “RTSH Sport”.
Kreu i kryeqytetasve është i kënaqur me merkaton e bërë këtë verë, ndërsa zbulon edhe prapaskenat me tentativat për rinovimin e kontratës me Majkëll Ngo. Halili zbulon edhe shifrën e ofruar nga Tirana për sulmuesin anglez, që kapte shumën e 8500 eurove në muaj. Ndërkohë presidenti i bardhebluve kthen vëmendjen edhe nga ndeshja e djeshme, ku shpreh pakënaqësitë e tij në lidhe me arbitrimin. Në fund prek edhe çështjen e bojkotit dhe flet besimplotë se kërkesat e propozuara do të marrin një zgjidhje.
Merkato
“Kemi bërë një merkato shumë të kujdesshme. Në krahun e djathtë kishim Dokën, por kemi marrë një nga futbollistët më të mirë të Kombëtares së Maqedonisë. Pra kemi bërë një zëvendësim të shkëlqyer, duke e dubluar pozicionin e djathtë. E nëse flasim për portierin, krahas asaj çfarë ka bërë Ilion Lika, që ne arritëm të dalim edhe kampion, kemi marrë një nga portierët më të mirë, portierin e Kombëtares së Kosovës”.
Ngo
“Të gjithë i falenderoj për atë çfarë kanë bërë në kampionatin tonë, ku arritëm edhe të dilnim kampion. Mirënjohje gjithë jetën. Na dhanë një trofe për të cilin kishim vite që vuanim. Majkëll Ngosë i është bërë një propozim, edhe ai kishte ofertën e tij. Më thonin që mund të lëviznin në një ekip tjetër jashtë Shqipërie. Oferta jonë ka qenë një ofertë që mund ta zbuloj. I kam thënë që ti mund t’i marrësh edhe 8500 euro në muaj. Është larguar për të mos ardhur te ne dhe ne kemi marrë një futbollist tjetër që dje bëri zëvendësimin. Ai është një futbollist që unë jam i bindur që gjatë kampionatit do të jetë një nga qendërsulmuesit më të mirë të Shqipërisë”.
Arbitrimi me Jang Bojsin
“Sapo ndodhi goli i Jang Bojs thamë “offside”. Ishte flagrant. Për çudi anësori ishte shumë afër pozicionit që mund ta jepte pozicion jashtë loje. Menjëherë filluam pamë në përsëritje Torasën, që mori një karton pa prekur kundërshtarin. Nuk ishte karton i kuq. Kështu që krahas rezultatit që ishim 2-0, atëherë u dëmtuam edhe më shumë pas daljes së Torasës”.
Bojkoti
“Jemi në një rast të tillë që jemi bashkuar të gjithë presidentët. Kemi biseduar me specialist, me jurist. Flasim që të bëhet sidomos kjo puna e tatimit mbi të ardhurat. Për mua faleminderit. Nuk është tatami im, është i atyre që do i marrin këto financa. Por unë prapë them faleminderit. Nëse do të shtohet do të ishte mirë, nëse nuk bëhet nuk është diçka që ne duam patjetër të bëhet kjo. Sa i përket pikave të tjera kam besim se do të ketë zgjidhje. Të behej një takim. Le të mos e bënte me ne, le ta bënte me presidentin e FSHF-së apo presidentin e Ligës dhe mbase do të zgjidhej pa pasur nevojë që të jemi edhe ne të tjerët”, ka deklaruar Refik Halili./Halit Delibashi-Sport Ekspres/