Edi Reja ka risi në listën e Kombëtares, një prodhim bardheblu si Albi Doka është gati të realizojë ëndrrën

Transferimi në Kroaci rezultoi një biletë për në Kombëtare për Albi Dokën. Puna e mirë te Tirana u shpërblye me trofeun e titullit kampion për prodhimin e bardhebluve, që siguroi kështu një kontratë jashtë Superiores. Por pavarësisht ndryshimit të ambientit, 23-vjeçari arriti të përshtatej mjaft lehtë me skuadrën e Goricës, ku që në ndeshjet e para nisi të bëhej protagonist me një gol të shënuar dhe një asist të dhuruar për shokët e ekipit.

Diçka e tillë nuk i ka shpëtuar syrit të Edi Rejas, i cili ka gati ftesën për ndeshjet e tetorit. “ABC News” bën me dije se Doka do të provojë fanellën e ekipit të parë këtë muaj, duke bërë kështu realitet një ëndërr që çdo futbollist shqiptar e mbart me vete.

Doka mund të jetë i duhuri për skemën e trajnerit italian. Statistikat dhe loja në Kroaci kanë treguar se mund të ndihmojë mjaft mirë përpara në sulm, ndërsa në prapavijë është në habitatin e tij dhe aftësitë nuk i mungojnë. Motive këto, shtuar faktit se ka mjaftueshëm minuta në këmbë, që kanë shtyrë Edi Rejan ta thërrasë në Kombëtare, ku mund të përshtatet mjaft mirë edhe në krahun e djathtë të mesfushës./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *