Besar Musolli u largua pas 8 viteve nga Kukësi, megjithëse jo në mënyrën më të mirë të mundshme, teksa klubi pretendon se prishja e kontratës ka qenë e njëanshme. Por pavarësisht kësaj mesfushori tashmë është pjesë e një tjetër skuadre dhe në kampin verilindor duhet të gjejnë një tjetër kapiten për t’i udhëhequr në sfidat e përjavshme.
Klubi kuksian ka dalë me një njoftim zyrtar, ku i njeh të gjithë me lojtarin që prej sezonit të ardhshëm do të zbresë në fushë me shiritin në krahë. Vesel Limaj ka marrë pëlqimin e të gjithëve për t’u graduar kapiteni i ri i skuadrës dhe një vendim i tillë duket se është mirëpritur nga të gjithë në ekipin e Kukësit.
“Vesel Limaj do të jetë kapiteni i ri i Kukësit për sezonin e ri futbollistik! Stafi teknik ka vendosur t’i besojë shiritin e kapitenit mesfushorit nga Kosova, duke pasur edhe mbështetjen e futbollistëve. Kapiteni i ri u gradua sot në stërvitje dhe u prit me duartrokitje nga pjesa tjetër e skuadrës! Limaj luan me Kukësin që nga sezoni 2018-2019!”, njofton klubi i Kukësit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/