Ilir Meta është bashkuar me zërin e Ligës Profesioniste të Futbollit për t’i kërkuar një përgjigje pozitive Qeverisë sa i përket kërkesave të parashtruara që do të ndihmojnë së tepërmi në anën financiare ekipet shqiptare dhe do të sjellë një zhvillim më të madh të këtij sporti. Nëpërmjet një reagimi në “Facebook”, Presidenti i Shqipërisë e cilëson futbollin si një krenari kombëtare, ndërsa kërkon me ngulm rikthimin e frymëmarrjes.
“Kriza e thellë kushtetuese, institucionale dhe përfaqësuese po përshkallëzohet në përmasa shqetësuese në të gjithë sektorët. Futbolli shqiptar, krenaria jonë kombëtare, prej javësh ndodhet në një ngërç, për shkak të vendimit për shtyrjen e datës së fillimit të kampionatit të Kategorisë Superiore, sezoni 2020 / 2021, që duket se do të vazhdojë për një kohë të pacaktuar në mungesë të vullnetit për gjetjen e një zgjidhjeje të menjëhershme.
I njohur me kërkesat e drejta të Ligës Profesioniste të Futbollit, i bëj thirrje qeverisë që përmes dialogut, bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të angazhohet për t’i rikthyer frymëmarrjen futbollit shqiptar, që ka kohë që ndodhet në vështirësi dhe sot kërkon vëmendje e mbështetje nëpërmjet një baze të sigurt ligjore”, shkruan Meta. /Sport Ekspres/