“Fola dhe me Dajën, as Afrika si ne”! Demi e ka me Qeverinë: Rama të mos dëgjojë ca servilë, nuk mban më litari

Gaz Demi ka folur për herë të parë dhe ka thyer heshtjen sa i përket përplasjes që ka futbolli me Qeverinë. Të gjithë presidentët e Superiores janë mbledhur së bashku dhe kanë kërkuar plotësimin e 4 kërkesave nga ana e Qeverisë, e cila deri tani nuk i ka plotësuar ato që do të sillnin një ndihmë ekomonike për klubet.

Mes tyre rreshtohet edhe Partizanit, pavarësisht faktit se drejtori i të kuqëve është vëllai i Kryeministrit Edi Rama, Olsi. Madje presidenti i kryeqytetasve, Gaz Demi, “ulëret” për të kërkuar të drejtën e tij në një intervistë që ka dhënë për “GazetaTema” me Fatjon Bazen. Një intervistë ku Demi është shprehur se e gjitha çështja është në dëshirën e Ramës, ndërsa mbështet bojkotin e futbollit dhe këshillon Kryeministrin që të mos dëgjojë disa pseudo-ekspertë servila.

“Tani, këto katër kërkesa duket sikur janë futur vetëm për futbollin. Qeveria po të ketë disa dashamirës ekonomist, e ka një sekond aprovimin. E kuptoni që sporti nuk është thjeshtë Liga, por është edukimi i brezave dhe atje edukohen breza pasi nuk dalin të gjithë futbollista. Nga një ndërrmarrje informale që është shumica e futbollit shqiptar dhe unë që quhem nga më të rregulltit, shoh që nuk ka asnjë ndihmesë.

E kuptoni që është shumë turp. Kam qenë me një kolegun dhe mikun tim trajnerin Ilir Daja, ku kemi bërë një bisedë miqsh. A e dini ju që 11- fusha ka sot me 1 milion banorë Tirana. Ka pasur 11 fusha plus me 250 mijë banorë. Ndoshta jemi vendi i rrallë në botë dhe as Afrika si ne, që kemi 1 fushë për 100 mijë banorë. Kështu që janë disa kërkesa shumë normale për të dërguar futbollin ku duhet, pasi ju e dini sesi politika afrohet me futbollin.

Kështu që kjo punë duhet parë me seriozitet, meqenëse dhe Fideli thotë se është serioze dhe unë e besoj, kjo është pesë minuta punë. Çohen në Komisionin e Ekonomisë pasi të gjitha janë të shqyrtuara me ekspertë. Nëse kryeministri jonë do të dëgjojë pseudo-ekspertët e vet që janë ca servila në foma të ndryshme, atëherë kjo punë nuk do të bëhet asnjëherë.

Në karakterin tim nuk jam ekstremist. Kjo lëvizje është bërë sepse ka ardhur aty ku nuk mban më litari, jam bashkë me ta për lënien e futbollit, lënien e topit dhe lënien e edukimit. Se duke lënë topin, lihet dhe edukimi sepse ndeshjet janë ato që rrisin nivelin. Nuk jam ekstremist për këto gjera, por janë disa gjëra që i kërkojmë minimale që mund të zgjidhen. Jam dakort për momentin me bojkotin dhe jo bojkot pafund pasi po të duan e zgjidhin për një orë dhe ne e dimë shumë mirë sesi i zgjidh Rama kur do”, ka thënë Demi. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *