Roma rezultoi si një rrufe në qiell të hapur për Marash Kumbullën. Verona ishte prej muajsh në negociata me Interin dhe Lazion, ndërsa së fundi del në skenë skuadra kryeqytetase. E në të kundërt nga dy të parat, duket se Roma nuk e ka marrë me qetësi këtë transferim, teksa po nxiton ta mbylllë sa më parë. Në Itali raportohet se është thuajse e mbyllur, pasi Roma është gati të ofrojë 30 milionë euro për Veronën dhe një kontratë afatgjatë prej 5 vitesh për lojtarin shqiptar.
Në lidhje me të ardhmen e talentit të Kombëtares kuqezi ka folur edhe shoku i tij i skuadrës, Veloso. Për mikrofonin e “Sky Sports” portugezi ka bekuar në një farë mënyre një transferim të mundshëm të Kumbullës dhe shprehet se mbrojtësi ka shkëlqyer me verdheblutë dhe e meriton të largohet.
“Nëse dikush largohet, atëherë ne duhet të shikojmë përpara dhe të mendojmë për ata që do të vijnë. Nëse Kumbulla largohet, ju mund ta shihni se ai e meriton. Ka pasur një sezon të shkëlqyer. Ata që do të vijnë duhet të tregojnë atë që dinë të bëjnë mirë”, ka thënë Veloso./Halit Delibashi-Sport Ekspres/