“U katandis kaposhi në thelë dhe nuk u bënë ligjet”, Duka flet për kërkesat: Flitet për informalitet, por me këto tentohet rregullimi

Superiorja vijon të jetë pezull, teksa 4 kërkesat e presidentëve të klubeve ende nuk janë plotësuar nga Qeveria. Një çështje e tillë ka marrë një vëmendje të gjerë, ndërsa mbrëmjen e sotme është vetë kreu i FSHF-së, Armand Duka, ai që flet mbi këtë temë në emisionin “Pressing” në “ABC News”.

Presidenti i Federatës shqiptare shprehet se është kundër bojkotit dhe pro zgjidhjeve në tavolinë, por ky është vendimi i Ligës. Duka më tej kujton premtimet e vetë Kryeministrit Rama për sportin dhe të 4 kërkesat i përmbahen tërësisht atyre premtimeve.

“E mira është të kemi futboll dhe kemi vuajtur këtë vit, duke pasur parasysh situatat e kaluara, me pandemi e tërmet. Nuk do ishte mirë të kishte bojkot, por një zgjidhje. Liga nuk janë 10 klube të Superiores, ato kanë edhe rreth 50 ekipe moshash dhe fëmijë që i edukojnë, Katër kërkesat e bëra janë për zhvillimin e futbollit.

Kjo përçohet edhe te klubet e tjera. Personalisht jam kundër bojkotit, jam pro zgjidhjes në tavolinë. Është vullneti i shumicës ky. Duhet bërë maksimumi të zgjidhen gjërat. Koha ishte e mjaftueshme të zgjidhen ato katër kërkesa. Ato kërkesa janë ato premtime që u bënë në maj të vitit 2018.

Kryeministri tha që le të bëjmë një reformë dhe të ndërtojmë një strategji për zhvillimin e sportit. Janë bërë grupe pune, janë bërë disa ndryshime. Por nuk u bënë esencialet që ndihmojnë në zhvillimin e futbollit.

Vetë presidentët e Ligës e kanë pasur këtë merak që të mos konsiderohej si një lëvizje politike. Në slogan nuk shkruhet Qeveria e ka braktisur futbollin, por Qeveritë e kanë braktisur futbollin. Ne nuk po themi që Shqipëria sot të shpiki rrotën, jo. Hajde të kopjojmë Europën. Vetë kryeministri tha në tavolinë le ta zerojmë fare tatimin për futbollistët për një afat.  Madje në atë takim kryeministri tha të heqim edhe tatim fitimin mbi futbollin, por nuk e pranoi Komiteti.

Asnjë nga kërkesat nuk devijon nga premtimet, madje aty u diskutusan më shumë dhe liga ka kërkuar katër. Plotësimi i tyre i jep frymëmarrje futbollit shqiptar. U bë grupi i punës dhe morën specialistë nga FSHF, ministria. Në fund u katandis kaposhi në thelë dhe nuk u bënë ligjet që duheshin.

Flitet për informalitet, por me këto masa tentohet rregullimi. Jemi dëshmitarë të një realiteti që futbolli e ka të vështirë të mbajë veten me këtë bazë ligjore që ka futbolli dhe me financimet që vijnë nga pushteti lokal”, ka deklaruar Armand Duka./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *