Nga Klaudio Ndreca
Një fitore dominuese e marrë në transfertë kundër Bjellorusisë në shifrat 0-2, atje ku Shqipëria nuk rrezikoi thuajse për asnjë moment daljen me më pak se tre pikë, në një fushë ku nuk kishim fituar kurrë më parë, nuk evituan kritikat për trajnerin Reja. Opinionist të ndryshëm në televizone u shprehën se skema që përdorë ky teknik bën “viktimë” lojtarët më të mirë të Kombëtares, por njëkohësisht e quajtën Rejën si “frikacak” pasi nuk eksperimentoi me disa emra të rinjë, për të parë sesi do të luajnë me fanellën kuqezi.
Mes emrave më të përmendur ishte edhe Qazim Laçi, një prodhim i Shqipërisë U-21 dhe që njëkohësisht ka shkëlqyer me Ajacion. Mesfushori llogaritej në formacionet e mundshme për të luajtur edhe si titullar, por nuk pati hapësirë në përballjen ndaj Bjellorusisë. “Sport Ekspres” zbulon se arsyeja e mungesës së këtij lojtari shkon më tepër sesa zgjedhja e trajnerit. Qazim Laçi vinte me një dëmtim nga Franca dhe Reja nuk ka kërkuar që të rrezikojë lojtarin, por edhe Kombëtaren ndaj Bjellorusisë, pasi mesfushori nuk mund të jepte më të mirën.
Ndërkohë gjendja e tij do të përmirësohet dhe do të ketë minutat e tij të aktivizimit në përballjen ndaj Lituanisë, atje ku shkojmë me tre pikët e marra së fundmi. Kjo është edhe arsyeja e mos pasjes së “eksperimenteve” te Kombëtarja, nëse mund ta quajmë kështu, pasi Laçi është një lojtar me vlera të mëdha. Por për sa kohë që do të shtrohen diskutime të tilla kjo tregon nivelin se ku ka mbërritur Kombëtarja, pasi vite më parë përfundonim thuajse në të njëjtin vend nga fundi i tabelës, atje ku vetëm të fitoje dukej si një mision i pamundur, për të mos kërkuar më shumë. /Sport Ekspres/