Kombëtarja shqiptare do të nisë grumbullimin për ndeshjet e radhes në Ligën e Kombeve, ku do të gjejnë përballë Bjellorusinë dhe Lituaninë. FSHF-ja ka njoftuar edhe ndryshimet e fundit në listën e trajnerit Reja dhe situatën në të cilën gjendet kampi kuqezi. Konfirmohet ardhja e Endri Çekiçit, një zgjedhje e bërë nga tekniku italian duke parë situatë e pazakontë që vjen si pasojë e pandemisë.
Zvicra ende nuk ka dhënë dritën jeshile për dy lojtarët e kampionatit helvet, Ermir Lenjani dhe Florian Kamberi, megjithëse Federata shqiptare bën me dije se janë duke punuar për të sjellë pranë grupit futbollistët.
Nga ana tjetër Armando Broja nuk do të mund të jetë i gatshëm për ndeshjen e parë kundër Bjellorusisë. Kjo për shkak se i fuhet të shlyejë dënimin e marrë në ndeshjen e fundit me Kombëtaren U-19, ku largua nga loja me karton të kuq. Kështu duhet të presim ndeshjen me Lituaninë për të parë për herë të parë talentin shqiptar të zbresë në fushë me fanellën e Kombëtares A./Halit Delibashi-Sport Ekspres/
Njoftimi i FSHF-së:
Kombëtarja do të nisë nesër grumbullimin për dy ndeshjet zyrtare ndaj Bjellorusisë dhe Lituanisë të vlefshme për eliminatoret e Ligës së Kombeve (Nations League). Ndërkohë Federata Shqiptare e Futbollit dhe stafi i Kombëtares po punojnë për zgjidhjen e problematikave që janë hasur në lidhje me lëvizjet e futbollistëve nga njëri vend në tjetrin për shkak të masave kufizuese të imponuara nga pandemia COVID-19.
Bëjmë me dije se vazhdojnë bisedimet me qeverinë zvicerane për të bërë të mundur prezencën e dy lojtarëve, Ermir Lenjani dhe Florian Kamberi, të cilët nuk mund të dalin jashtë kufijve të Zvicrës për shkak të masave kufizuese. Ende nuk ka një përgjigje përfundimtare, teksa FSHF është në kontakt të vazhdueshëm, edhe me ndihmën e UEFA-s, për të bërë të mundur grumbullimin e këtyre dy lojtarëve për dy ndeshjet e shtatorit.
Gjithashtu, për ndeshjen e parë ndaj Bjellorusisë nuk do të jetë i gatshëm Armando Broja, i cili është i skualifikuar për shkak të një kartoni të kuq të marrë në një ndeshje zyrtare me Kombëtaren U-19. Me shlyerjen e skualifikimit, sulmuesi i ri do të jetë nën urdhrat e trajnerit Edoardo Reja dhe i gatshëm për të luajtur për ndeshjen e dytë ndaj Lituanisë.
Listës së Kombëtares i është shtuar orët e fundit edhe emri i Endri Çekiçit (NK Olimpija Ljubljana). Duke parë situatën aktuale trajneri ka vendosur të ftojë sulmuesin pogradecar për ta pasur në dispozicion në rast të ndonjë mungese eventuale.
Marash Kumbulla do t’i bashkohet kampit stërvitor të Kombëtares dhe do t’i nënshtrohet testeve mjekësore. Pas rezultateve të testeve, ekipi mjekësor do të mund të dalë në një konkluzion nëse mbrojtësi do të jetë i gatshëm ose jo për dy ndeshjet e radhës.