Ishte “tifozi” special në “Air Albania”, Reja: Ndoqa gjithë ekipin te Kukësi, Tirana nuk e meritonte largimin

Dita historike për futbollin shqiptar u mbyll mbrëmjen e djeshme me suksesin e Kukësit kundër Slavias së Sofies. Një “tifoz” special ishte në tribunë për të ndjekur nga afër takimin, që ndoshta ka motivuar lojtarët shqiptar të japin më të mirën nga vetja. Trajneri i Kombëtares kuqezi ka qenë i pranishëm në “Air Albania”, duke bërë që të nxitet ideja te sportdashësit se mund të kemi edhe afrime nga Superiorja për ndeshjet e shtatorit.

Në përfundim të takimit, tekniku Italian ka folur për mikrofonin e “Fax News”, ku shpreh kënaqësinë e të rikthyerit pranë futbollit, si dhe dëshirën për të nisur me këmbën e mbarë kundër Bjellorusië. Në fund Reja prek edhe eliminimin e Tiranës, që për të ishte i pamerituar.

“Nuk kam ndjekur vetëm një lojtar në veçanti, por të gjithë ekipin. Është një hap i rëndësishëm për futbollin shqiptar që të gjitha ekipet kanë kaluar turin e parë në kompeticionet europiane. Jam shumë i emocionuar që rikthehem në stadium.

U bë kaq shumë kohë që nuk shihja tapetin e gjelbër, pasi e kemi ndjekur futbollin vetëm nga televizori. Kam mbajtur kontakt me lojtarët dhe më garantojnë se janë në një gjendje të mirë. Ata që do të vijnë, do të vijnë vërtetë të karikuar. Duhet të bëjmë një paraqitje të mirë, në veçanti me Bjellorusinë, sepse ata janë më përpara me përgatitjet, pasi kampionati i tyre është duke u luajtur. Prandaj do të gjejmë një skuadër shumë të motivuar, duhet të bëjmë një ndeshje të madhe.

Më vjen keq për Tiranën se nuk e meritonin të largoheshin. Kanë luajtur më mirë se Ylli i Kuq. Ndjej keqardhje, sepse Tirana meriotonte një rezultat më të mirë me lojën që shprehu”, ka thënë Edoardo Reja./Halit Dleibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *