Shembujt nga Kosova leksion për Kukësin, verilindorët marrin përgjigjen e tamponëve

Shembujt që na vijnë ditët e fundit nga ekipet e Kosovës kanë shërbyer si një leksion për skuadrat e tjera, në mënyrë që të jenë më të kujdesshëm për gjendjen e lojtarëve nga Covid-19. Shtyrja e ndeshjeve e aq më tepër humbja në tavolinë si rasti i Dritës janë ato që asnjë klub nuk do të donte t’i ndodhnin.

Kukësi ka marrë një leksion nga këto ngjarje të fundit, duke bërë që ekipi të tregojë një përgjegjshmëri të madhe në këtë aspekt. Pas anulimit të miqësores pak ditë më parë, tashmë verilindorët i janë nënshtruar edhe tamponëve për të mësuar ku janë me situatën e Koronavirusit. Por kujdesi i treguar ka dhënë frytet e veta, teksa klubi njofton se të gjithë lojtarët janë negativë dhe do vijojnë të qendrojnë në Elbasan. Ndërkohë, një tjetër testim do të kryhet të martën. Te Kukësi kanë luftuar fort për të mbërritur në Europë ku dhe synojnë të rrugëtojnë gjatë, prandaj nuk dëshirojnë që puna dhe objektivi i tyre të shkojë dëm nga Covid-19.

“Duke parë problemet e shumta që kanë hasur skuadrat në periudhën e Covid-19, skuadra ka kryer ditën e djeshme tamponët për të kontrolluar gjendjen e skuadrës. Fatmirësisht, ekipi ka rezultuar negativ nga përgjigjet e analizave. Pavarësisht këtij lajmi shumë të mirë, ekipi do të vijojë me grumbullimin në Elbasan, për të shmangur kontaktet para ndeshjes ndaj Slavias. Të martën, skuadra dhe stafi do të kryejnë një tjetër tampon para ndeshjes, rezultatet e të cilit do të bëhen publike të mërkurën”, njofton klubi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *