Nga Klaudio Ndreca
Arbi Laçi, mes personazheve të shumtë që meritojnë duartrokitje tek Tirana është edhe drejtori i saj. Kontributi i punës së tij janë frytet që bardheblutë po marrin në këto kohë, teksa rezultuan të suksesshëm edhe në Europë. Në letër ishte Dinamo Tbilisi favoriti kryesor për të vazhduar në turin tjetër, por kampionët e Superiores bindën duke e mundur në shifrat 0-2.
Në një intervistë për “Sport Ekspres”, Laçi ka treguar premion e dhënë nga ana e Halilit, që vazhdon me të njëjtën metodë si në takimet e rëndësishme të Superiores, që gjithmonë kanë dhënë rezultat. Gjithashtu me Arbin kemi folur edhe sa i përket Muçit, ku largimi i Ngosë i ka bërë një nder Tiranës pasi në këtë mënyrë do të ketë vend për talentin bardheblu, që në rast të largimit do t’i shtohet shumë më tepër vlera.
Emocionet e Tbilisit, si e keni përjetuar dhe sa e prisnit këtë kualifikim?
Ishte një natë fantastike. E festuam gjatë gjithë rrugës së kthimit me skuadrën dhe në fund me tifozët sapo mbërritëm në aeroport. Kishim 15 vite pa u kualifikuar në Champions. Ia dolëm dhe u bë më e bukur se ia dolëm në transfertë kur të gjithë na shihnin si jo favoritë për të kaluar me tej. Nuk bëmë krenar vetëm tifozët bardheblu, por të gjithë Shqipërinë sepse në këtë kompeticion po përfaqësojmë gjithë vendin.
Ndeshja e radhës do të jetë kundër Crevena Zvezdës. Mendoni se Tirana i ka kualitetet për ta kaluar edhe këtë tur?
Kemi qënë në çdo moment serioz e të kujdesshëm në deklarata apo dhe në sjellje përballë Dinamos dhe do ndjekim të njëjtën linjë dhe përballë Crvena Zvezdës. Skuadra i ka të gjitha mundësitë për t’u kualifikuar. Do të luajmë shanset tona në shtëpi dhe me pas do të shohim si do të përfundoj. Keqardhje që kjo ndeshje do të luhet pa tifoz sepse meritonte një stadium të mbushur plot.
Ka pasur një premio nga ana e Halilit ndaj Dinamo Tbilisit?
Po ka pasur një shpërblim 100 mijë eurosh për kualifikimin nga presidenti. Këtë praktikë kemi ndjekur ne kampionat dhe na ka rezultuar një formulë e suksesshme dhe kështu do vazhdojmë me objektiva të tjera madhore.
Largimi i Ngosë ka dhe të mirat e saj, pasi skena i lihet Ernest Muçit në Europë. E prisni dhe ju një dyfishim të vlerës ndoshta të këtij sulmuesi pas ndeshjeve ne Europë, për të kaluar në shifrat që dikur Skënderbeu shiste lojtarët?
Ne kemi strategjinë tonë dhe klubi ndjek politikë të shëndetshme për t’u rritur, investuar dhe përmirësuar ekipin. Muçi është xhevahiri i futbollit shqiptar për të cilin do të flitet shumë në vitet në vazhdim. Ende nuk e keni parë se çfarë mund të bëj ky sulmues. /Sport Ekspres/