Ditën e djeshme Barcelona pësoi një turpërim nga Bajerni i Mynihut, i cili nuk pati aspak mëshirë për historinë katalanase dhe për Lionel Mesin, duke shënuar 8 herë në portën blaugrane. Nëse dikush do t’i thoshte skuadrës Barcelonës se ndeshja do të përfundonte 8-2, askush nuk do ta besonte. Aq më pak Arturo Vidal. Në konferencën për shtyp kiliani ishte mjaft i bindur se skuadra e tij do të ishte superiore ndaj bavarezëve. “Bajerni i Mynihut do të luajë me ekipin më të mirë botë. Ata duhen të jenë të përgatitur pasi do t’i sulmojmë çdo sekondë dhe nuk po luajnë ndaj një ekip të Bundesligës”, ishin fjalët e mesfushorit katalanas.
Por sigurisht që këto fjalë nuk dolën të vërteta, pasi ishte ekipi gjerman i cili e vinte në presion të vazhdueshëm kundërshtarin, duke i injektuar frikë dhe pasiguri në lojë. Pavarësisht 8 golave të shënuar, ndeshja mund të shkonte më keq nëse do të kishte më shumë minuta lojë, pasi Bajerni nuk dinte të ndalonte.
Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që Arturo Vidalit nuk i dalin parashikimet dhe kërcënon më kot në deklarata. Vitin e kaluar, pas fitores 3-0 ndaj Liverpulit në ndeshjen e parë në gjysëmfinale, kur u pyet nëse kishte mundësi që anglezët të kualifikoheshin, mesfushori nuk ngurroj për të thënë: “Nuk ka asnjë shans që të eliminohemi, ne jemi ekipi më i mirë në botë. Nëse Liverpul kualifikohet unë do të heq një testikul”, ishin fjalët ironike të Vidal. Përfundimi është i ditur sesi anglezët arritën që të përmbysnin rezultatin dhe kiliani kthehet për të “kërcënuar” sërish në deklarata. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/