E ardhmja e Hysajt është ende e paqartë te Napoli. Ardhja e Gatuzos në stol bëri që shkodrani të mendonte edhe njëherë largimin, megjithëse kjo alternativë mbetet ende e vlefshme. Te Napoli janë dy lojtarë të tjerë që luajnë në të njëjtin pozicion me Elseid Hysajn duke bërë që vendi i titullarit të mos jetë i sigurt.
Për këtë arsye në këtë sesion të merkatos po shqyrtohen edhe mundësitë e tjera. Interesimi për shërbimet e 26-vjeçarit nuk mungon. Është një tjetër klubi i Serie A që ka lëvizur gurët e parë për kapitenin e Kombëtares shqiptare. Hysaj është në listën e dëshirave të Torinos, për këtë arsye ka pasur një takim mes drejtuesve të tyre me menaxherin e lojtarit. “Tuttosport“ zbulon se Xhuifredi ka shkuar drejt për të diskutuar nga afër me Vanjatin, në mënyrë që të vendosin për të ardhmen e shkodranit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/