Një Partizan i ri pritet të vijë sezonin e ardhshëm nën drejtimin e Ilir Dajës. Ndryshimet e shumta në përbërjen e skuadrës e tregojnë qartë një gjë të tillë. Nga klubi janë larguar shumë lojtarë, prejt të cilëve edhe një emër si Bruno Telushi. Drejtori sportiv i Partizanit, Olsi Rama, ka thyer heshtjen në lidhje me këtë çështje.
Në një konferencë për shtyp, Rama zbulon motivet e ndarjes së rrugëve me mesfushorin vlonjat, që nuk bënte pjesë në projektin e ri të “debave të kuq“. Më tej drejtori sportiv i kryeqytetasve ka folur edhe për merkaton që klubi do të zhvillojë, si dhe për objektivin që skuadra do të ketë sezonin që vjen.
“Telushi? Pata një bisedë shumë të çiltër dhe të hapur me atë. I uroj sukses dhe përfitoj nga rasti ta falënderoj për çfarë ka bërë te Partizani, sidomos gjatë vitit që dolëm kampion. E kam admiruar gjithmonë për shpirtin e garës, është një person që e ka këtë pjesë të karakterit. Unë gjithmonë kam ngulur këmbë dhe kam thënë se ndeshja nuk fitohet ditën kur luhet, por gjatë gjithë javës.
Në përgjithësi, nga një pjesë e grupit vjet kemi pritur pak më tepër në aspektin e mbështetjes morale dhe psikologjike. Nuk është se fajësoj Telushin për këtë, por më tepër në aspektin e ndërrimit të faqes për të ndërruar edhe mënyrën e lojës dhe për të pasur një Partizan pak më të kristaltë në lojën e vet.
Telushi nuk parashikohej të kishte një rol qendror projektin e ri. Për respektin që kam për të, bëra një bisedë shumë të hapur dhe vendosëm që rrugët të ndaheshin. Ai nuk e shikonte veten në rolin e një personi që vinte nga pankina.
E përsëris, titulli kampion është kurorëzimi i një sezoni ku ekipi duhet të tregojë paraqitje dinjitoze dhe lojë. Nëse ne e fillojmë sezonin duke kërkuar titullin, gabojmë pasi e shtrijmë këmbën më shumë sesa kemi hapin. Objektivi kemi rritjen e nivelit të ekipit dhe gjetjen e një fizionomie të Partizanit, me një lojë të menduar dhe studiuar që t’u përshtatet sa më mirë lojtarëve që do të marrim.
Një qendërmbrojtës dhe një mesfushor cilësor janë detyrat kryesore të merkatos këtë vit, por edhe dy mbrojtës krahu, të cilët duhet të vijnë në ekip, të integrohen dhe të japin kontributin e tyre”, ka deklaruar Olsi Rama./Halit Delibashi-Sport Ekspres/