Nga Klaudio Ndreca
Një përrallë e vërtetë ishte ajo e Atalantës në “Champions League” teksa mbërriti në çerekfinale dhe i shkoi shumë pranë kualifikimit ndaj PSG-së. Por ekipi i vetëm italian i mbetur në këtë kompeticion do të përmbysej në minutat e fundit, për t’i ikur mundësia e artë e suksesit dhe që do të shkruante histori më të madhe.
Trajneri Gasperini i ka falënderuar të gjithë lojtarët për gjithçka dhanë deri në këtë fazë, ku sigurisht nuk mund të harrojë lehtë edhe mundësinë e artë të humbur nga Gjimshiti në minutën e 57, që do të ishte goli i dytë për Atalantën dhe më i rëndësishmi i karrierës për mbrojtësin shqiptar.
“Një emocion i jashtëzakonshëm që i erdhëm kaq shumë afër kualifikimit. Mbetet kënaqësia e sukseseve të arritura deri tani në “Champions League”. Më duhet të falënderoj të gjithë futbollistët për atë që bënë në këtë sezon dhe më vjen keq se kishin mbetur aq pak minuta. Në këtë lloj kompeticioni ka disa futbollistë të kalibrit të lartë si Nejmar dhe Mbape që e kanë gjallëruar PSG-në. Nëse do të kishim pësuar gol që më herët do të ishte një lojë krejtësisht tjetër, por të pësosh në fund dhemb.
Djemtë dhanë gjithçka, në fund janë lodhur dhe e përsëris që i falënderoj. Mund të them se ky është kompeticioni i detajeve dhe episodeve, që vendosin gjithë ndeshjen. Ne po mbërrinim në minutën e 90, me Mbapen ose pa atë. Nuk arritëm që të shënonim gol tjetër me mundësitë e Gjimshitit. Njerëzit në Bergamo do të festojnë gjithsesi dhe me krenari. Burimet tona nuk shterojnë kurrë, ecim përpara”, ka thënë Gasperini. /Sport Ekspres/