Zyrtare/ Dinamo zgjidh problemet e sulmit, firmos me golashënuesin e Pogradecit

Dinamo ka nisur vrullshëm merkaton për të ngritur një grup konkurues në sezonin e ardhshëm. Pas sulmuesit brazilian të Burrelit, një tjetër lojtar i këtij reparti zyrtarizohet te kryeqytetasit. Bëhet fjalë për një futbollist që nuk i ka munguar goli këtë sezon, madje duke qenë një nga golashënuesit më të mirë. 13 gola dhe 10 asiste mbajnë firmën e tij në sezonin fantastik që Pogradeci arriti të zhvillonte.

Klubi i Dinamos thekson se 24-vjeçari ishte një dëshirë e vetë presidentit Pontreli dhe është vëzhguar që prej muajit janar. Një element i tillë padyshim që do të jetë një armë shtesë për Dinamon këtë sezon, teksa synon të rikthehet në nivelet më të larta të futbollit shqiptar. Goli i ka munguar nëndetëses blu këto kohë dhe duket se Alillari është zgjidhja e duhur për sulmin kryeqytetas, për t’i dhënë fund problemeve në këtë repart./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *