Nga Klaudio Ndreca
Besnik Prenga po merr vlerësime maksimale në Kroaci për punën që ka bërë përgjatë kësaj kohe. Lokomotiva e Zagrebit nuk ka pasur nevojën për të shpenzuar shumë para që të mbërrijë te suksesi i vendit të dytë, ndërsa me gjysmën e skuadrës që përbëhet nga shqiptarët, të gjithë kanë shkuar falë Prengës.
Në një intervistë për mediat në Kroaci, Prenga tregon “parajsën e talenteve” në Shqipëri dhe Kosovë, duke njoftuar se të tjerë do të bashkohen në Kroaci në të ardhmen. “Jam ndër të parët që marr informacione për një lojtar të talentuar në Shqipëri apo Kosovë. Së bashku me kreun e shkollës së Lokomotivës, Cabraja, kemi bërë mijëra kilometra dhe kemi ndjekur rreth 100 ndeshje në Shqipëri dhe Kosovë. Na u rekomanduan më tepër sesa 100 lojtarë të rinjë.
Rreth 50 futbollistë të talentuar kanë ardhur me ne në prova dhe mbeten më të mirët, Mersinaj, Cokaj, Kastrati, Tuci. Jam i kënaqur që kemi bërë një punë të mirë. Vetëm Uzuni nuk ka mbërritur në këtë mënyrë pasi kur isha trajner te Laci e rekomandova menjëherë te Lokomotiva që ta marrnin. Sapo e pashë, kuptova që potenciali i Myrtos ishte i madh dhe se do të kishte sukses.
Besoj se do të vazhdojmë që të sjellim lojtarë sërish në të ardhmen nga këto vende. Një tjetër i talentuar do të vijë këto ditë dhe do të vazhdojmë sërish më vonë. Jo sepse këta pesë futbollistë na rezultuan të shkëlqyer nga Shqipëria, por sepse vërtet ka talent atje. Ne po ndjekim gjithçka dhe kemi të tjerë në radar”, u shpreh Prenga. /Sport Ekspres/