Lancinet Sidibe ishte një afrim i bërë nga Tirana në janarin që lamë pas. Mesfushori u mor me huazim nga ekipi i Besëlidhjes dhe në 6 muajt e parë me bardheblutë arriti që të shpallej kampion i kampionatit shqiptar. Në një intervistë me “Players on focus” Sidibe ka rrëfyer jetën e tij si futbollist, që nga fillimiet e deri te mundësitë për të ardhmen.
Mesfushori nga Guinea nuk harron të falenderojë tifozerinë bardheblu, si dhe të gjithë trajnerët që e kanë formuar si futbollist, gjë për të ciën u detyrohet shumë. Ndërkaq në planet për të ardhmen do të dëshironte të vijonte marrëdhënien me Tiranën, megjithëse nuk do i thoshte jo as një oferte nga Partizani.
“Kam luajtur futboll që në moshë shumë të vogël. Në fillim ishte pak e vështirë për mua. Zgjodha pikërisht këtë rol, të mesfushorit, sepse edhe babai im ka luajtur në këtë pozicion gjithashtu.Në fushë jam gjithmonë i qetë dhe dëshiroj të jap maksimumin tim sa herë që luaj. Transferimi im në Shqipëri u mundësua nga një menaxher i cili erdhi në Guine për të më takuar dhe më solli këtu.
Momenti më i bukur i karrierës sime ishte vitin e kaluar kur u kualifikuam për Europa League. Edhe momenti më i vështirë ishte përsëri vitin e kaluar, sepse pata shumë probleme. 6 muaj nuk luajta fare dhe 6 muajt e tjerë nuk luajta shumë.
Jam me të vërtetë i kënaqur që jam kampion i Shqipërisë për këto 6 muaj. I jam falenderues Zotit dhe ekipit të Tiranës. Për sa i përket finales, mund të them që është me të vërtetë e rëndësishme ta fitojmë atë. Për historikun e klubit do të ishte e mrekullueshme të fitonim të dy trofetë brenda sezonit.
Do të doja t’i falenderoja të gjithë tifozët e Tiranës. E kemi ndjerë mbështetjen e tyre, është e pabesueshme dhe magjike. Do të falenderoja të gjithë ata që më kanë mbështetur që prej fillimeve të mia. Janë pjesë e historisë sime, prej fillimit, aty ku gjithçka nisi dhe nuk i harroj kurrë. Lidhja dhe mirënjohja ime ndaj qytetit tim janë të përjetshme. Nuk harroj asnjërin prej jush, do jeni gjithmonë në zemrën time. Faleminderit, gjithashtu, edukuesve të mi Gjoka Noka, trajnerëve të mi Shpëtim Duro dhe Bledi Shkëmbi! Ju më keni mësuar futbollin, respektin, disiplinën dhe dashurinë për lojën. Ju kam në mendimet e mia.
Do të më pëlqente të isha përsëri pjesë e ekipit të Tiranës. A do të luaja një ditë për Partizanin? Po, përse jo“, është shprehur Lancinet Sidibe./Halit Delibashi-Sport Ekspres/