Nga Klaudio Ndreca
Fjalën e momentit në Angli e ka Marcelo Bielsa. Suksesi që arriti ky trajner nuk është i rëndomtë, teksa riktheu Lidsin në “Premier League” pas 16 vitesh. Në botën e futbollit njihet me nofkën “i çmenduri”, madje me shumë të drejtë. Historitë e tij tërësisht të pazakonta dhe nuk e kanë një të dytë. Disa kohë më parë skandali plasi në Angli, teksa tekniku i Lidsit e pranoi se i spiunonte kundërshtarët e tij me dron.
Por e gjitha kjo nuk është asgjë në krahasim me atë që Bielsa bëri në Itali. Me një zhurmë të madhe erdhi në krye të Lacios për t’u zyrtarizuar para afrimit të Inzaghit, ndërsa drejtuesit i besuan verbërisht. E papritura? U shkarkua pa luajtur as edhe një ndeshje të vetme!
Kjo pasi trajneri në fjalë nuk po gjente gjuhën e përbashkët me Igli Taren sa i përket lojtarëve që kërkonte në merkato. Të gjithën këtë histori do ta shpjegonte vetë presidenti i Lacios, Lotito: “Isha unë që e shkarkova Bielsan. Kur isha në Francë, Tare më telefononte dhe më tregonte se kishte blerë disa lojtarë që i donte ai trajner. Pas tre minutash, ata lojtarët nuk ishin të mirë mjaftueshëm sa më parë.
U riktheva në Itali dhe së bashku me Taren kemi telefonuar Bielsan për të folur rreth situatës. Tare foli me të dhe ai i përgjigj si të ishte shkencëtar. Në një moment unë ia mori telefonin Tares dhe i thashë: “Shiko trajner, ti mund të shkosh”. Në atë moment edhe vetë Tare u zbeh disi”, do të shprehej Lotito. /Sport Ekspres/