Nga Klaudio Ndreca
“Solomon e kam ndjekur në fillimet e mia, e kam ndjekur në Beograd kur luante me Partizanin e Beogradit. E kemi kërkuar edhe vjet, por u bind dhe erdhi vetë kur pa se jemi një klub me potencial”, kështu do të shprehej Olsi Rama, për të treguar me gëzim mënyrën sesi sulmuesi 24-vjeçar do të nënshkruante me të kuqtë.
Por veprat e këtij lojtari në fushën e lojës janë të pakta dhe duhet të “gërmosh” shumë për t’i gjetur ato. Vetëm një gol për të veçuar në derbin ndaj Tiranës ku u fitua në shifrat 1-2, por e pasuar edhe me shumë gabime që i kanë kushtuar shtrenjtë Partizanit.
Menjëherë më pas vinin edhe shprehjet filozofike të Solomon në “Instagram”, pasi “sulmohej” nga gjithë ambienti për gafat e bëra. Gjithsesi sulmuesi pritet që të largohet nga Partizani dhe të mbyll aventurën e tij ashtu siç askush nuk e dëshironte, pa përmbushur pritshmëritë e larta dhe besimin që i dhuroi Olsi Rama. Mediat në Turqi shkruajnë se Menemespori e ka kontaktuar lojtarin dhe brenda pak kohësh do të mbyllet marrëveshja për ta transferuar në ekipin ku gjendet Selmani dhe Domgjoni. Një tjetër lojtar që kjo skuadër fiksoi te Partizani ishte edhe Çinari, por konkurrenca është rritur për këtë të fundit. /Sport Ekspres/