Nga Klaudio Ndreca
Gjithçka ka ndodhur në përballjen mes Gjilanit dhe Prishtinës, të mbyllur me rezultatin 2-1. Futbollistët miq ishin të pakënaqur me vendimet e arbitrit kryesor, që nxori me karton të kuq edhe portierin Bekaj pasi i hoqi topin me kokë kundërshtarit të tij.
Pra tërësisht në mënyrë të pashpjegueshme, ndërsa lojtari i Prishtinës u largua nga fusha me lot në sy. Kur gjithçka përfundoi, e gjithë skuadra ka shkuar për të kërkuar llogari tek gjyqtarët, por Policia e Kosovës ka përdorur gaz lotjsellës vetëm për t’i shpërndarë. Për këtë arsye kanë shkuar në spital me disa komplikacione disa prej pjesëtarëve të Prishtinës, mes të cilëve është Labinot Ibrahimi. Në një prononcim për “Sport Ekspres”, ish-lojtari i Partizanit na tregon edhe situatën:
“Gjendja ime shëndetsore është tani e mirë, stabël, por në ato momente isha në gjendje shumë të keqe. Nuk mund të shikoja dhe t’i hapja sytë nga sprajti që përdori Policia e Kosovës, që u sollë në mënyrën më të keqe. Në vend që të na mbrojnë, ata na sulmojnë ne. Në fund e ndeshjes, kur mbaroj gjithçka, ne lojtarët me stafin teknik shkuam për t’i kërkuar llogari arbitrit kryesor Kreshnik Vula se përse e bëri gjithë këtë pisllëk, vetëm e vetëm që të largohet Prishtina nga gara”.
Por një tjetër detaj i bukur është se vetë klubi i Prishtinës ka shkruar në “Facebook” se me 99% do të tërhiqet nga gara. Pas çdo të keqe mund të jetë një e mirë, pasi me këtë rast mund të bëhej edhe bashkimi me Kosovën nëpërmjet kampionateve, ku Prishtina të vinte dhe të garonte në kampionatin e Shqipërisë. I pyetur në lidhje me një tezë të ngjashme, Ibrahimi nuk e fsheh lumturinë: “Nuk mund të flas nëse Prishtina do të largohet apo jo. Por rikthimi në Shqipëri dhe të përfaqësojmë aty Prishtinën, do të ishte një ide shumë e bukur për futbollin shqiptar”, tha Ibrahimi. /Sport Ekspres/