“Del nusja në rrugë dhe merr 500 të shara”! Halili: Tiranën e mbajta duke shitur pronat e mia, ata që bëjnë masakra ecin me kollare

Refik Halili ka komentuar gjërësisht atë që ka ndodhur në përballjen e sotme mes Bylisit dhe Tiranës, që ka ngjallur jo pak polemika në futbollin shqiptar. Ballshiotët arritën që të përmbysnin rezultatin në shifrat 2-1 në takimin e vlefshëm për Kupën e Shqipërisë, ndërsa në faqe të ndryshme ishin publikuar edhe koeficentët jo normal të kësaj përballje.

Presidenti i Tiranës ka hedhur poshtë të gjitha zërat për një trukim të mundshëm, duke treguar se klubin e ka mbajtur me gjak, madje duke cituar saktësisht se investimet te kryeqytetasit janë bërë duke shitur pronat personale. Në intervistën e gjatë të dhënë për “ABC Neës” për “Pressing”, Halili shprehet se ata që bëjnë masakrat e vërtetë shëtisin me valixhet në duar dhe kollare.

“Ky klub ka kaq kohë që bën ndeshje të shkëlqyera, vazhdon investon pafund Refik Halili, edhe FSHF na ka dhënë ndihmën e tyre në drejtim të licencimeve. Ndeshja? Ndoshta mund të kemi filmime, ku unë kam ulëritur nga tribuna, si asnjëherë tjetër, duke thirrur lojtarët që të lozin dhe të mobilizohen, pasi ndeshja po na rrëshqiste. Nuk dua të justifikohem, le të bëjnë verifikime, organet janë të hapura.

Koeficientet? Le t’i shohin ku kanë shkuar. Pse nuk thonë bravo portieri Lika që bëri kaq pritje dhe priti penalltinë? Do të shikoni që te skuadra jonë është transformuar komplet formacioni. Kishte futbollistë Si Batha dhe Doka, donin që të mos merrnin kartonë në Korçë, prej dëshirës së madhe për të luajtur me Kukësin dhe Partizanin.

Këtu del nusja në rrugë dhe i fusin 500 të shara. Unë personalisht kam që në vitin 2004 te Tirana. Nuk ka burrë në tokë dhe lart në qiell, që të më akuzojë se kam marrë një dollar te Tirana. Nuk ka gjë që nuk dini ju, i dini mirë kush përfshihet, kush toleron, kush paguan arbitra, kush shet dhe blen ndeshje. Të gjithë specialistët e dinë.

Nuk është se jam i vetmi që nuk merrem me poshtërsi, kam lënë 16 milion euro për Tiranën. Ne do të kualifikohemi, do shkojmë në finale, do marrim titullin dhe do shkojmë përpara. Nuk më kanë detyruar, kam shpenzuar 16 milion euro me qejf dhe që Tirana të bëhet një klub evropian.

Në gjithë investimin që kam bërë, kam shitur pronat e mia. Mos e merrni si shaka. Po unë që nuk mora asnjë lek nga Kupat e Evropës. Kam 4 milion euro prona që kam shitur, i kam të deklaruara. E kam mbajtur Tiranën me gjak. Nuk u shemb bota se humbën 2-1, të tjerët kanë bërë masakra më të tmerrshme dhe ecin me kollare dhe valixhe pa lekë”, tha Halilli. /Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *