Ashtu siç edhe pritej, transferimi i Achraf Hakimit te Interi është bërë zyrtare. Mbojtësi maroken ka kaluar me sukses vizitat mjekësore në Milano dhe ka hedhur firmën në një kontratë që e mban të lidhur deri në verën e vitit 2025 me zikaltrit. Lojtari 21-vjeçar ka shkëlqyer me fanellën e Borusias së Dortmundit, ku ishte i huazuar nga gjigantët e Realit të Madridit.
Në një kohë kur pritej rikthimi i tij në kryeqytetin spanjoll, galaktikët vendosin ta shesin, me Interin që ishte i gatshëm të paguante 40 milionë euro për shërbimet e Hakimit. Ky i fundit pëlqehet nga trajneri Conte, të cilit i shkaktoi edhe eleminimin nga Champions League me golin e tij. Ndërkohë Reali i Madridit ka dalë më komunikatë zyrtare për mbrojtësin, duke e falenderuar për përkushtimin e treguar përgjatë gjithë viteve që ka qenë pjesë e akademisë së “los blancos”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/