VIDEO/ 38-vjeçari Flokari i shënon golin e jetës Milanit, çuditërisht barazimi me SPAL-in është festë

Nga Klaudio Ndreca

Zhgënjimi vazhdon te Milani dhe kuqezinjtë nuk ngrohin tifozët e tyre as për t’i dhënë shpresë për të ardhmen. Ky sezon ka dështuar dhe “dielli është parë herët”, teksa nga Xhampaolo te Pioli, skuadra ka kaluar vetëm në krizë rezultatesh. Këtë herë vjen një barazim me shije fitore kundër SPAL, që është thuajse e rënë në Serinë B dhe kjo tregon gjendjen se ku ka mbërritur ekipi me aq shumë histori në Itali.

Valoti shënoi golin e parë në minutën e 13, ndërsa gjithë vëmendjen e këtij takimi e ka rrëmbyer 38-vjeçari Flokari. Një sulmues që shumëkush e ka harruar dhe ka menduar se e ka mbyllur karrierën me futbollin, pasi ka qenë pjesë e Serisë A prej vitesh.

Asnjë gol nuk kishte arritur që të shënonte me SPAL në këtë sezon, por ndaj Milanit ka realizuar golin e jetës dhe me shumë gjasa më të bukurin e vitit 2020. Leao do të ngushtonte diferencat në minutën e 79 dhe kur pritej mbyllja e takimit ishte Vikari, lojtari i SPAL, që dërgon gabimisht topin në portën e tij për t’ia falur një pikë Milanit. Për mënyrën sesi erdhi, padyshim që ky barazim shijon si një fitore për lojtarët kuqezinjë, por kurrsesi për tifozët. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *