Kumbulla është kthyer në qendrën e vëmendjes këtë merkato në Itali. Shumë klube janë pas tij, ndër të cilat edhe Lazio. Këta të fundit e hodhën hapin e parë konkret pak ditë më parë. Vetë Tare dhe Lotito u takuan kokë më kokë me presidentin Setti, të cilit i propozuan dy oferta tunduese për të marrë shërbimet e talentit shqiptar.
Mbi këtë çështje flet edhe vetë drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare, i cili sqaron gjithçka për “Sky Sport”. Vlonjati e bën të qartë se Kumbulla i intereson së tepërmi bardhekaltërve, por nga ana tjetër tregon se ende nuk është arritur asgjë. Negociatat janë në zhvillim e sipër dhe Tare është i vetëdijshëm se për të marrë një lojtar të tillë nuk mund të bëhet menjëherë, por nevojitet kohë.
“Kumbulla? Është një futbollist që na intereson. Kjo është arsyeja pse u takuam me Veronën. Është një profil që mund të jetë i rëndësishëm për vitet e ardhshme, por kemi të bëjmë me një negociatë ende për t’u zhvilluar. Ishim të sigurt që nuk do të mbyllej të Enjten (dita e takimit)”, ka thënë Igli Tare./Halit Delibashi-Sport Ekspres/