Lazio është padyshim një nga surprizat më të bukura të këtij sezoni në Serie A. Vitet e fundit bardhekaltrit kanë treguar cilësi dhe grintë, duke kërkuar të sigurojnë një vend në Champions League, megjithëse pa sukses. Megjithatë shumë pak mund ta mendonin se kryeqytetasit do të luftonin dhëmbë për dhëmbë me Juventusin për titullin e Serie A. Një rrugëtim fantastik që i bëri lojtarët dhe tifozët të besonin në këtë ëndërr.
Por Inzaghi ka vendosur të zbresë me këmbë në tokë Lazion e tij, teksa në konferencën për shtyp përpara takimit me Torinon i kujton të gjithëve objektivin kryesor për këtë sezon, arritjen në Champions League. Ndoshta edhe vetë diferenca prej 4 pikësh me Juventusit, ka bërë që trajneri i bardhekaltërve t’i shohë gjërat me një tjetër sy.
“Titulli apo Champions League? Ata janë dy synime të mëdha. Katër vjet më parë filluam të dëshironim të përmirësoheshim dhe e bëmë atë. Kanë mbetur pak për Champions League dhe tani duhet të përqendrohemi në arritjen e këtij qëllimi. Pastaj do të mendojmë për gjëra të tjera.
Fitorja e së shtunës na sjell shumë afër qëllimit tonë të madh që ishte Champions League dhe që ka munguar për një kohë të gjatë”, ka deklaruar Inzaghi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/