“Pyesja veten…çfarë dua unë këtu?”! Holandezi që luftoi me Marantas te Luftëtari: Shoferi i klubit nuk merrte rrogën…

Nga Klaudio Ndreca

Cerezo Hilgen nuk e ka harruar ende eksperiencën e keqe që kaloi te Luftëtari, ndërsa vazhdon ta tregojë këtë aventurë në mediat holandeze. I ardhur me shumë bujë dhe ku tifozët prisnin që të shihnin shpërthimin e tij, trajneri Marantas që vinte nga Kategoritë e ulëta në Greqi, mes ulërimave dhe sjelljes aspak profesionale, do e detyronte këtë lojtar që të largohej.

Në një intervistë për “Voetbalzone”, Hilgen ka treguar gjithçka sa i përket kohës së tij te Luftëtari. Gjithashtu duke përmendur edhe vështirësitë financiare të klubit atje ku nuk paguhej as shoferi që duhej të merrte futbollistët.

“Përse shkova në Shqipëri? Po atje ishte një burrë holandez që më bindi. Ky ishte vëllai i një personi te Luftëtari dhe më tha se gjithçka ishte e mirëorganizuar. Nuk kisha oferta të tjera dhe isha në gjendje të luaja në nivelin më të lartë në Shqipëri. Gjithsesi ata njerëz më ndihmuan që të merrja pagat kur gjithçka po shkonte keq dhe flas ende me ta.

Konflikti me Marantasin? Nuk preferoj të harxhoj më shumë fjalë për të. I uroj më të mirën në jetë dhe karrierë, por nuk mund të punohej me një person të tillë. Nuk e mendoja se niveli në Shqipëri do të ishte aq i fortë, megjithëse nuk krahasohet me Holandën. Në fakt pak shtete mund të krahasohen me Holandën. Kur shkonim në hotele për ndeshjet në transfertë kishte organizim, por pjesa tjetër, jo…

Nuk e pashë aspak profesionale. Në një moment mendova: “Çfarë po bëj unë këtu?”. Jo gjithmonë e dinim se ku do e bënim stërvitjen. Shoferi i autobuzit nuk ishte pagua dhe disa djemë nuk kishin ndonjë veshje nga klubi. Gjithsesi nuk pendohem për vendimin e marrë. Përjetova shumë gjëra të këqija atje dhe më thirrën kur shkarkuan Marantas, por ishte kapitulli i mbyllur”, tha Cerezo Hilgen. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *