Nga Klaudio Ndreca
Pak ditë më parë në mediat italiane u raportua një ndryshim në planet e mbrojtësit shqiptar, Elseid Hysaj. Gatuzo kërkon që ta mbajë në skuadër me çdo kusht, teksa kriza e Koronavirusit ka ndikuar në buxhetet e të gjitha ekipeve dhe do të jetë e vështirë për Napolin që të gjejë një tjetër mbrojtës me eksperiencë në krahë.
Pavarësisht se një letër lamtumire kishte mbërritur nga ana e menaxherit Xhuifredi për Hysajn, duke ia dërguar presidentit De Laurentis, situata kishte nisur të ndryshonte. Megjithatë është “Gazzetta dello Sport” që raporton se vetë dëshira e Elseid Hysajt është për t’u larguar. Mbrojtësi i Shqipërisë nuk do që të vihet në diskutim dhe të konkurrojë me Di Lorenzon për të marrë vendin e krahut të djathtë. Pavarësisht dëshirës së Gatuzos për ta mbajtur në ekip, një vend i garantuar është i vështirë që t’i jepet Hysajt duke parë edhe cilësitë e Di Lorenzos që ka përparësi në lojën sulmuese të skuadrës. /Sport Ekspres/