Nga Klaudio Ndreca
Kriza e madhe e rezultateve ka prishur terësisht qetësinë në krahun e kampionëve të Shqipërisë. Partizani do të ndryshojë fytyrë në sezonin tjetër ku do të ketë shumë largime nga lojtarët që janë aktualisht pjesë e të kuqëve.
Mes tyre bën pjesë edhe Erald Çinari, sulmuesi që dha shumë për fanellën e kryeqytetasve. “Sport Ekspres” mëson nga burime të sigurta se një ekip në elitën e futbollit të Polonisë është pranë nënshkrimit me këtë lojtar.
Emri i tij nuk mund të bëhet ende publik, por mesa duket kjo do të jetë e ardhmja e Çinarit, ndërsa zbehen kështu edhe sirenat e ardhura nga Turqia me Menemesporin. Klubi ku aktivizohet Domgjoni dhe Selmani e kishte në listën e gjatë të dëshirave dhe madje u përfol se mungonte vetëm zyrtarizimi, por palët nuk e kanë gjetur gjuhën e përbashkët. /Sport Ekspres/