Në Nigëri marrosen pas historisë së Egbosë, flet “Zoti” i Tiranës: Kështu e marrim “Champions League-n”, pa matematikë

Nga Klaudio Ndreca

Historia e mrekullueshme e Egbosë te Tirana ka sjellë një vëmendje të madhe edhe për mediat në Nigeri. Mes çudisë dhe përgëzimeve, raportohet sesi trajneri ka lënë përgatitjen e portierëve dhe ka marrë drejtimin e skuadrës kryeqytetase për të vazhduar një rekord të fitoreve, pa e njohur kurrë shijen e humbjes.

Emanuel Egbo e ka thënë shumë herë se gjithçka nis që me emrin e tij të shenjtë: “Zoti është me ne”. Pra Tirana ka edhe fatin në krahë për të vazhduar ëndrrën dhe për të prekur titullin kampion. Por pavarësisht se e kanë vendosur një dorë në të, Egbo tregohet pafundësisht i kujdesshëm duke mos premtuar asgjë.

Në Shqipëri nuk ka ndodhur kurrë, por edhe kur e pyesin në Nigeri sesa afër është për të shkuar në “Champions League” për fazat kualifikuese, trajneri përmbahet duke thënë se nuk i bën kurrë llogaritë e matematikës dhe sheh gjithmonë për ndeshjen tjetër.

“Tirana ishte në vendin e tetë kur unë e kam marrë në muajin dhjetor, pasi shkarkuan trajnerin dhe asokohe isha si trajner i portierëve. Në fillim dua të falenderoj Zotin, ai ka meritat. Ishte faktori motivues dhe i inspirimit. Më zgjodhi që të bëja këtë punë në emrin e tij të shenjtë.

Lojtarët e Tiranës ishin të rënë psikologjikisht dhe fizikisht kur i mora unë. Së bashku me stafin, i futëm në rrugën e duhur dhe nisëm të fitonim, tani me 16 ndeshje të tilla.

Kualifikimi në “Champions League? Po i marrim ndeshjet njëra pas tjetrës, të fitojmë të parën dhe pastaj të vazhdojmë me tjetrën. Nuk më pëlqen llogaria dhe matematika. Të gjitha ndeshjet janë finale, këtë i kam thënë djemëve të mi”, u shpreh Egbo për “Allnigeriasoccer.com”. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *