Nga Klaudio Ndreca
Xhakomo Vrioni është debutimi më i ri i Juventusit ndaj Milanit, të paktën në listën e lojtarëve të thirrur nga ana e Sarit për Kupën e Italisë. Një arritje më vete kjo e sulmuesit 21-vjeçar që papritur e gjen veten mes yjeve të bardhezinjëve.
Në merkaton e janarit do të vinte transferimi te Juventusi U-21, ku ashtu si edhe Rei Manaj, edhe pse nuk ka lënë shumë gjurmë me golat e shënuara deri tani, kanë tërhequr vëmendjen e trajnerëve të këtyre ekipeve gjigande të Europës për t’u thirrur në ekip të parë. Vrioni mund të quhet ndryshe edhe si sulmuesi i lindur “me këmishë”. Një lojtar i fortë fizikisht dhe një sulmues që tërheq përpara ekipin, por deri në këto momente edhe fatin e ka pasur si një aleat të fortë.
Sampdoria që e kishte në zotërim kartonin e tij e dërgoi në dy huazime, te Venecia dhe Citadela, por atje do të venitej dhe nuk ka arritur që të fitojë as vendin e titullarit. Pak minuta në fushën e lojës dhe kur pritej një tjetër largim drejt skuadrave të Serisë B, erdhi kalimi tek të rinjtë e Juventusit.
Zgjedhja nuk ishte e gabuar pasi vetë fakti që është grumbulluar nga ana e Sarrit flet shumë në këtë moment. Më herët Vrioni ka luajtur edhe me grupmoshat e Italisë, ndërsa më pas do të reflektonte me prindërit e tij për të kaluar te Shqipëria U-21. Ndeshja e parë dhe vjen menjëherë goli në debutim. E si për ironi të fatit, pikërisht kundër Italisë, për të kaluar te ai festim ikonik ku sulmuesi ka bërë menjëherë shqiponjën.
Gjithashtu Vrioni ka debutuar edhe me Shqipërinë A, teksa i erdhi si një dhuratë për datëlindjen nga ana e Panuçit përpara se të bëhej 20-vjeç. Pak orë përpara se të festonte, ish-trajneri i kuqezinjëve i dha mundësinë për të qenë në fushën e blertë, duke gëzuar në këtë mënyrë edhe prindërit e tij. Por sukseset vetëm sa kanë nisur për të, teksa pritet që të ketë disa minuta edhe ndaj Milanit. Dëmtimi i Higuain i hapi rrugën Vrionit dhe Sarri hodhi një vështrim nga të rinjtë për të mbushur këtë boshllëk. Në një kohë që janë rritur edhe zëvendësimet pas pandemisë dhe me rregullat e reja në futboll, në mbrëmje tifozët shqiptarë presin më kërshëri Kupën e Italisë pasi atje do të gjejnë edhe një lojtar që do t’i përfaqësojë. /Sport Ekspres/