“Donin vëmendje më të madhe se Gega”, gazetari fajëson drejtuesit e Partizanit: Nuk është problemi te Sormani, Europa do ishte katastrofë

Partizani i këtij sezoni duket tërësisht i shpërfytyruar dhe ka humbur identitetin e tij si një nga klubet me histori në futbollin shqiptar, që është edhe kampioni në fuqi i Superiores. Rezultatet kanë munguar shpesh përgjatë këtij kampionait, ndërsa 5 humbje radhazi është bilanci i fundit për “demat e kuq” nën udhëheqjen e Sormanit. Ky i fundit gjendet në mes të kritikave dhe duket se orët i ka të numëruara në stol.

Por sipas gazëtarit Dritan Laçi problem nuk është trajneri italian, por drejtuesit e Partizanit. Në një intervistë për gazetaren Enkeleida Zeko në “Syri TV”, gazetari shqiptar ktheht pas në largimin e Gegës, që tregon edhe dëshirën e drejtuesve të ekipit kryeqytetas për të pasur vëmendjen më të madhe pas suksesit. Sipas tij do të ishte më mirë për Partizanin të mos arrinte në Kupat e Europës, pasi do të shihnim një katastrofë të ndeshej me skuadrat europiane.

Largimi i Adolfo Sormanit? 

“Për mua situata është e paprecedent pasi drejtuesit e Partizanit janë zhdukur dhe nuk dihet ku janë. Situata është e rëndë pasi askush nuk e di ku është skuadra jo më të dinë fatin e Sormanit.

Nuk është problemi te Sormani, duhet të kthehem pas në kohë kur Partizani u shpall kampion por më pas u largua Skënder Gega. Ndoshta ka ardhur momenti që të themi të vërtetën e madhe që profesor Gega mori vëmendjen më të madhe të suksesit dhe ky ishte problemi me drejtuesit të cilët kërkonin ndoshta vëmendje më të madhe. Pas largimit të Gegës rezultoi një merkato e shëmtuar në shumë drejtime”.

Kupat e Europës 

“Nëse do ishte për mua Partizani është e kotë të shkojë në kupat e Europës në këtë gjendje që ndodhet tani. Në gjendjen që është Partizani do të ishte katastorfë përballja me skuadrat europiane, në dy muaj Partizani nuk do të bëjë mrekullinë”.

Tirana apo Kukësi do të fitojë titullin?

“Kampionati është shumë i vakët dhe skuadrat po mendojnë për të mbyllur sa më parë sezonin. Duke parë edhe kalendarin favorizues mund të them që tani që Tirana është kampione e ardhshme e Shqipërisë”, ka thënë gazetari Dritan Laçi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *