Copëza të reja vijojnë të zbulohen nga autobiografia e Xhorxho Kielinit. Këtë herë në qendër të historisë është vetë ai dhe merkatoja në të shkuarën. Prej shumë vitesh mban veshur fanellën bardhezi dhe është kthyer në simbol të Juventusit, si me lojën e tij në fushë ashtu edhe me besnikërinë e treguar për klubin.
Por duket se kjo e fundit është lëkundur në të shkuarën, sidomos pas dështimeve në Serie A të Juventusit. Një gjë të tillë e pranon edhe vetë mbrojtësi Italian, që tregon se e ka menduar seriozisht largimin nga Juventusi. Rastet janë dy dhe bëhet fjalë për klube të njohura si Reali i Madridit dhe Manchester City. Por edhe pse marrëveshja shkoi shumë pranë konkretizimit me galaktikët, ishte Karvajo ai që do të prishte planet, duke u kthyer në të preferuarin e Murinjos.
“Në vitin 2010 mund të kaloja te Real Madrid dhe në 2011 në Manchester City, nuk shkova shumë larg: pas dy vendeve të shtata mendova seriozisht për këtë. Në rastin e parë, agjenti im kishte folur me një ndërmjetës të Real Madridit, shkuam shumë afër marrëveshjes por Murinjo sapo kishte mbërritur në Madrid dhe kërkoi me çdo kusht blerjen e bashkatdhetarit të tij Rikardo Carvajo. Juventus ishte gjithashtu i lumtur që më mbajti, Marotta sapo kishte hyrë si menaxher i përgjithshëm. Sa për City-n, unë u takova me një nga drejtuesit e tyre në Milano, por atëherë asgjë nuk ndodhi”, zbulon Kielini në librin e tij./Halit Delibashi-Sport Ekspres/