Çështja e licensimit të klubeve shqiptare për kompeticionet europiane ka pasur një interes të gjerë. FSHF ka njoftuar se ky proçes ka përfunduar ditën e sotme dhe vendimet finale janë marrë. Komisioni i Licensimit të Klubeve ka mbyllur me sukses marrjen nën shqyrtim të dosjeve të ekipeve shqiptare, të cilave u është komunikuar edhe verdikti mbi vendimet e marra. Për hir të respektimit të garës publiku do të njihet me ekipet e licensuara dhe ato që nuk kanë mundur të sigurojnë licensimin për shkak të mosplotësimit të kritereve, ndërsa klubeve u është kërkuar të mos publikojnë asgjë deri në përfundim të garës.
Ndërkohë një lajm pozitiv është edhe risia që Federata Shqiptare e Futbollit njofton, pasi në këtë proces janë përfshirë edh klubet e futbollit të femrave, Vllaznia dhe Apolonia. Gjithashtu sezoni i ardhshëm do të gjejë 6 ekipe shqiptare, duke përfshirë këtu përveç futbollit të meshkujve edhe atë të femrave dhe të moshave./Halit Delibashi-Sport Ekspres/
Njoftimi i FSHF-së:
Ka përfunduar ditën e sotme procesi i licensimeve për klubet kandidate për pjesëmarrje në kompeticionet e UEFA-s në sezonin 2020-2021. Komisioni i Licensimit të Klubeve, pasi ka shqyrtuar në detaje të gjithë dosjet e skuadrave të meshkujve dhe femrave, ka marrë vendimet përfundimtare të cilat i janë komunikuar klubeve kandidate.
Klubeve i është kërkuar të mos bëjnë publik vendimin e marrë nga Komisioni në mënyrë që vendimi të mos ndikojë në garë. Pas përfundimit të kompeticioneve, Federata Shqiptare e Futbollit do të informojë grupet e interesit dhe opinionin publik mbi skuadrat që janë licensuar dhe ato klube që nuk kanë plotësuar kriteret e licensimit e i është refuzuar aplikimi.
Risia e këtij viti në procesin e licensimit është se janë përfshirë dhe skuadrat e Vllaznisë dhe Apolonisë nga futbolli i femrave. Shqipëria do të përfaqësohet sezonin e ardhshëm në UEFA Champions League, UEFA Europa League, UEFA Women’s Champions League dhe UEFA Youth League me 6 skuadra.