Pavarësisht se Tirana nuk njeh humbje që nga koha kur Egbo e ka marrë në krye, madje me vetëm një barazim dhe të gjitha të tjerat që kanë qenë fitore, Starova nuk është i bindur. Më saktësisht nuk është i sigurtë nëse kjo është dora e Egbos, pasi në analizën e bërë në emisionin “Pressing”, shprehet se në këtë periudhë e vetmja gjë që ka ndryshuar te Tirana është harmonia në ekip.
“Tirana i ka pasur lojtarët, aty kanë qenë të gjithë. Por fati i Egbos se më para kanë qenë të dëmtuar të gjithë. A e mbani mend se kush ishte i gatshëm në sulm disa kohë më parë te Tirana apo jo? Egbo është trajner portierësh, mos harroni. Ai u thotë lojtarëve në stërvitje…”Si i’u ka bërë Ardi ushtrimet? Si i’u ka bërë Ahmataj dhe të tjerët? Epo ashtu vazhdoni”. Ajo që po ruhet tani është vetëm harmonia në skuadër. Edhe ky lloj trajneri ecën, por Tirana është duke menduar për trajner tani, se Egbo e ka vendin për të stërvitur portierët. Mbajeni mend, këtu do jemi. Tirana do ketë trajnerë tjetër në “Champions League” si të parë dhe Egbo do jetë i portierëve”, u shpreh Starova. /Sport Ekspres/