Partizani do të ndeshet kundër Skënderbeut në takimin e parë të Superiores për këto dy ekipe pas KOVID-19. Të kuqtë kërkojnë reflektimin dhe kthimin në rezultatet pozitive. Objektivi i skuadrës është për të arritur Europën, pas shumë zhgënjimeve në këtë sezon. Trajneri Sormani ka folur para kësaj sfide, ku nuk ka munguar edhe një koment për Tiranën që është pranë titullit kampion.
Ndeshja me Skënderbeun? “Sipas meje ndeshjet nuk do të kenë një intenistet të lartë. Do të ketë edhe momente të ndezura, por edhe momente të një qetësie të madhe sepse e sigurt është se lojtarët nuk kanë një ritëm të madh. Do të jetë një ndeshje me rivalitet, por përveç kësaj duhet parë me kohën se çfarë do të ndodhë”.
Rasti pozitiv te Bylisi: “Të shpresojmë se jo, të shpresojmë që të mos jetë e vërtetë dhe që futbollisti të jetë mirë. Sigurisht kemi punuar deri tani dhe shpresojmë ta mbyllim sezonin”.
Kalendari? “Problem nuk është kalendari pasi të duhet të luash kundër të gjithëve. Problem është si sillesh në ndeshje, mendoj se varet shumë nga ne dhe jo nga takimet me kundërshtarët që do të kemi”.
Menjëherë kundër Skënderbeut, kush është objektivi? “Objektivi është si në fillim, pastaj është kundërshtari, pastaj ka edhe situata të ndryshme. Por, objektivi është gjithnjë i njëjtë”.
Gjendja e futbollistëve? “Lojtarët nga shtëpia kanë punuar shumë mirë dhe kanë bërë maksimumin për të qëndruar në formë. E përsëris, një ndërprerje e tillë nuk ka ndodhur më parë. Asnjë nuk mund të parashikojë atë që do të ndodhë. Do të ishte absurde të thuash që skuadra jote është në formë, sepse sipas meje nëse në verë ne luajmë disa miqësore para se të nisë sezoni, tashmë duhet të konsiderojmë që nuk kemi bërë asnjë miqësore dhe situata është krejtësisht ndryshe”.
Objektivi i skuadrës?“Objektivi i skuadrës është të arrijmë Europën, ky është minimumi që duhet të arrijmë. Duhet të bëjmë më të mirën për ta arritur”.
Për titullin është e mbyllur? “Vetëm nëse Tiranës i bien të fikët. Është e qartë se Kukësi është afër dhe në këtë sens është i hapur dhe në dhjetë ndeshje, janë 30 pikë që nuk janë pak. Në këtë sens duhet parë reagimi i Kukësit”. /Sport Ekspres/