Një lajm i papritur ka ardhur nga Italia ditën e sotme, ku Bepe Marota mund të japë lamtumirën e tij te Interi. Drejtori sportiv i zikaltërve ka bërë një punë të mirë në postin e tij që nga momenti i emërimit, teksa ka sjellë në stol një emër si Konte dhe së bashku me blerjet në merkato i ka dhënë Interit një tjetër fytyrë këtë sezon. Por situata së fundi nuk paraqitet aspak e qetë për të në klubin italian, pasi po përballet me presionin e Kontes dhe të Zhang.
Shkak është bërë kalendari i vendosur për Kupën e Italisë, ndeshja e kthimit të gjysmë-finales së të cilës do të luhet në 13 qershor, ndërsa në datën 17 do të zërë vend finalja. Zikaltrit e kanë humbur ndeshjen e parë në shtëpi ndaj Napolit dhe shanset kështu për të fituar Kupën mbeten të zbehta, aq më tepër kur bëhet fjalë për këtë ngjeshje në kalendar.
Kontes nuk i pëlqen ideja për ta mbyllur sezonin pa asnjë trofe, po ashtu edhe presidentit Zhang, prandaj kanë këruar që finalja e Kupës së Italisë të luhet në datën dy gusht. Por Marota duket se nuk ia ka dalë të bindë Federatën për të plotësuar dëshirën e zikaltërve dhe kjo ka sjellë edhe një situatë të tensionuar në kampin e klubit milanez. Në kushte të tilla, në mediat përtej Adriatikut bëhet me dije se ish-drejtori sportiv i Juventusit mund të ndajë rrugët me Interin./Halit Delibashi-Sport Ekspres/