Nëse Interi dukej një hap përpara të tjerëve në garën për Kumbullën, një nga klubet më legjendare të Italisë është vënë në gjurmët e talentit kuqezi. Është pikërisht Juventusi i Sarrit, i cili gjithnjë e mban një sy te emrat që lulëzojnë në kampionat për t’i bërë pjesë të skuadrës bardhezi. E këtu Paratiçit nuk kishte se si t’i shpëtonte nga vëmendja Marash Kumbulla, që ka qenë surpriza e bukur e këtij sezoni së bashku me skuadrën e Veronës.
Sipas “La Repubblica” Juventusi është shtuar në listën e klubeve që janë të gatshëm të paguajnë 30 milionë euro në arkat e Hellas Veronës për të bërë tyren mbrojtësin shqiptar. Ndërkohë interesi i “zonjës së vjetër” për shërbimet e lojtarit të Kombëtares së Shqipërisë ka qenë edhe më parë, megjithëse pa pasur diçka konkrete. Por duket se situata ka ndryshuar dhe bardhezinjtë janë bindur. Me shumë mundësi vera do të sjellë derbin e Italisë në merkato mes Interit dhe Juventusit, ku trofeu në fund do të jetë pikërisht Kumbulla./Halit Delibashi-Sport Ekspres/