Nga Klaudio Ndreca
Mes Bylisit dhe mbrojtësit brazilian Vinsente de Paula Mercedes vazhdon ende lufta për çështjen e ngritur së fundmi. Presidenti i ballshiotëve, Besnik Kapllanaj i hodhi poshtë të gjitha akuzat e ngritura nga lojtari brazilian, duke thënë se ka gënjyer dhe do të përballej me një gjobë. Gjithashtu edhe për pjesën më të rëndë, ku Vinsente de Paula Mercedes do të shprehej se nuk kishte marrë leje nga klubi për t’iu gjendur pranë mamasë në ditët e fundit. Në një intervistë të fundit për “Espn”, vazhdohet sërish me akuzat dhe pa u tërhequr.
“Kam pasur një ofertë shumë të mirë nëpërmjet një menaxheri që më kishte parë duke luajtur. Ishte shansi për të shkuar në elitën e Zvicrës, pasi ekipit i duhej një lojtar si mua në krahë për të luftuar për titullin. Por kur shkova për të firmosur kontratën, menaxheri nuk ishte më atje. Të gjitha premtimet nuk janë përmbushur.
Vdekja e mamasë: “Ishte shtruar në spital dhe doja të kthehesha në Brazil për ta ndihmuar. Fola me presidentin e ekipit të Bylisit, por më tha që nuk mund të më jepte leje se kishte ndeshje të rëndësishme përpara dhe se do të më mbështeste, por nuk ndodhi. I thashë që do iki në Brazil për t’i dhënë forcë nënës time. Ishin momente të vështira për mua. Por ai ishte shumë i ftohtë. Nuk më la dhe pse i thashë që do të kthehesha prapë.
Ishte shumë e neveritshme, ishte një person që nuk ndien asgjë as për komshun e tij. Në 4 muaj më ka dhënë vetëm 1.000 euro që kur kam shkuar, nuk më kanë paguar. Vetëm më kanë gënjyer”, ka thënë Vinsente de Paula Mercedes. /Sport Ekspres/