Shumica e kampionateve po marrin dritën jeshile për të mbyllur sërish çdo gjë në fushën e lojës, ndërsa një pjesë ka përcaktuar edhe datat e rinisjes. Ndërkohë një çështje që ka zgjuar interes këto kohë është ajo e formulës së Champions League për këtë sezon. E vetmja e sigurt është se gushti është rezervuar për të, por mënyra se si do shkohet deri në fund mbetet një dilemë që nuk ka marrë një përgjigje zyrtare.
Në lidhje me këtë temë ka folur për “Radio Kiss Kiss Napoli” Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili mban në të njëjtën kohë edhe postin e anëtarit të Komitetit Ekzekutiv në UEFA. Duka bën me dije se ka disa ide që po vlerësohen, ku qendron edhe ajo e ndeshjeve çerekfinale me vetëm një takim dhe një “final four” në Stamboll. Megjithatë, kreu i Federatës shqiptare zbulon se do të jetë data e 17 qershorit ajo që do të japë përgjigjen përfundimtare në lidhje me formulën që do të ndiqet në Champions League.
“FIFA ka propozuar që të shtyhet skadimi i kontratave duke marrë parasysh urgjencën. Tani ky tregues duhet të merret në konsideratë nga federatat e ndryshme të futbollit. Më 17 qershor do të marrim një vendim se si të përfundojmë garat evropiane dhe cila do të jetë dita e fundit për të përfunduar kampionatet. Duhet të presim që të vendosim rinisjen e të gjitha kampionateve kombëtare.
Ka ide për tu vlerësuar por ato që qendrojnë në këmbë janë çerekfinalet e Ligës së Kampionëve me një takim dhe për të luajtur gjysmëfinale dhe finale me një “final four” në Stamboll. Një vendim i fundit do të arrijë në 17 qershor.
Në Shqipëri të gjitha skuadrat po stërviten. Ne presim të fillojmë kampionatin në 3 qershor. Ne presim një përgjigje pozitive nga qeveria shqiptare. Në protokollin tonë, nëse ndodh një rast pozitiviteti ndaj Covid të një lojtari, vetëm lojtari në fjalë do të jetë në karantinë, jo i gjithë skuadra në të cilën ai luan”, ka deklaruar Armand Duka./Halit Delibashi-Sport Ekspres/