Holanda ishte ndër të parat së bashku me Belgjikën që morën vendimin për të ndalur përfundimisht kampionatin e futbollit. Ky i fundit u shpall nul dhe askush nuk u kurorëzua kampion, pasi kreu ndahej nga Ajaksi dhe AZ Alkmar me pikë të barabarta. “Harketarët” ishin në vend të parë me golavarazh më të mirë se AZ, por kanë humbur të dyja përballjet direkte me këta të fundit.
Për të shmangur polemikat dhe për të qenë më të drejtë, Federata holandeze vendosi të mos i jepte titullin kampion Ajaksit, megjithëse u trajtuan si të tillë kur vjen puna te biletat për në Kupat e Europës. Skuadra e njohur nga Amsterdami siguroi kështu kualifikimin direkt në Champions League, ndërsa AZ Alkmari duhet të kalojë fazën paraeleminatore për ta parë veten në grupet e kompeticionit më prestigjoz për klube.
Kështu Champions League “fut në sherr” dy klubet holandeze. Alkmar dëshiron vendin e saj në grupe dhe për të arritur deri këtu e ka dërguar çëshjten në UEFA. Ekipi elitar në Holandë i kërkon qeverisë së futbollit europian të kthejë mbrapsht vendimin e Federatës së vendit të tyre, në mënyrë që të jenë ata që sigurojnë kualifikimin automatikisht dhe jo Ajaksi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/