Nga Klaudio Ndreca
Kreu i Sindikatës së Futbollistëve në Itali, Damiano Tomasi, ka ngritur zërin për një shqetësim të madh. Kriza e Koronavirusit vazhdon që të ndihet dhe të ndikojë në futboll, pavarësisht se pritet që të hapen shumë prej kampionateve në Europë.
Kështu janë shumë futbollistë që nuk janë paguar prej një kohe të gjatë, me presidentët e klubeve që kanë zgjedhur të presin duke parë edhe situatën e paprecedent. Tomasi është shprehur për “Sky Sport” se disa ekipe në Serinë A nuk kanë paguar që nga muaji janar, një shqetësim ky i prekshëm edhe në Shqipëri, pasi ka raste identike, ku mes tyre i fundit ka qenë i Vllaznisë. Megjithëse duhet të theksojmë se pagat e marra në Itali janë shumë herë më të larta sesa në futbollin tonë dhe për këtë arsye lojtarët atje kanë më pak vështirësi.
“Në Seria A ka ekipe që duhet të mbyllin ende pagën për muajin janar. Jashtë vendt, nëse nuk kalon pagën, atëherë nuk luan. Gjithashtu do të diskutojmë javën tjetër edhe çështjen e kontratave të lojtarëve që skadojnë në 30 qershor. Zgjatja ligjore është e pamundur, megjithëse duhet të bëjmë një marrëveshje zotërinjsh. Jam ende duke e menduar dhe duhet të kemi edhe një plan B nëse kampionati do të mbyllej përfundimisht”, tha Tomasi. /Sport Ekspres/