Pepe Reina i ka bërë publike bindjet e tij politike dhe nuk nguron as t’i shprehë hapur në rrjetet sociale. Portieri spanjoll është mbështetës i partisë Vox, e cila i përket krahut të djathtë dhe këtë herë vendosi të protestonte kundër qeverisë Sanchez. Një numër i madh njerëzish janë grumbulluar në rrugë me makinat dhe motorrët e tyre në shenjë proteste. Një foto e shkëputur nga ky manifestim është shpërndarë në “Twitter“ nga gardiani i Milanit, i cili është lënë me huazim te Aston Vila.
Por bindja e tij politike duket se e ka futur në “sherr“, pasi rreperi spanjoll, Nega, ka komentuar menjëherë, madje edhe duke e ofenduar Reinën. “Shiko se je një qelbësirë, edhe në Kombëtare mendoje se ishe super i mirë, por ishe i turpshëm. Oh, surprizë, në fund u konfirmua se ishe një maskara, më plehra. Fashist i m****“, ka shkryar rreperi spanjoll.
Ndërkaq Reina nuk ka qendruar i heshtur, por është përgjigjur me fjalët: “Më pak leksione dinjiteti, kampion”, duke i dhënë fund kështu këtij debati në rrjetin social./Halit Delibashi-Sport Ekspres/