Nga Klaudio Ndreca
Keidi Bare është shumë i lidhur me fanellën e Shqipërisë, ndërsa po kthehet në një lojtar kyç për Kombëtaren e drejtuar nga Reja. Tekniku italian i ka dhënë më shumë besim mesfushorit të Malagas, ndërsa menjëherë arriti të fitonte edhe dashurinë e gjithë tifozëve.
I palodhur në fushën e lojës dhe kilometra të pafundme që përshkruan, padyshim që një lojtar i tillë është oksigjeni i ekipit ku luan. Në një intervistë për “A2Cnn”, Bare flet mes të tjerash edhe për lidhjen që ka me Kombëtaren. Duke mos e parë si një detyrim grumbullimin me kuqezinjtë dhe ardhjen nga Spanja, por si një lëkurë të dytë mundësinë e të veshurit fanellën kuqezi.
“Para se të ndodhte situata nga pandemia, më kishte ardhur ftesa nga Kombëtarja dhe e prisja me padurim. Fanella e Kombëtares është lëkura ime e dytë. Po pres me padurim të marr një ftesë tjetër, që të jem me shokët e mi të ekipit dhe të luajmë një ndeshje”.
Ndërkohë kur kujtohet himni shqiptar i kënduar me Sadikun për faqen zyrtare të Malagës, Bare shkon edhe me një premtim tjetër, duke u shprehur se do t’i mësojë shokëve të skuadrës edhe gjuhën tonë.
“Kur jam me shokët jam një tip i hareshëm. Përse jo, avash-avash do t’i mësoj edhe shqipen shokëve të mi të ekipit. Po bënim një lojë me Sadikun për faqen e klubit dhe kur më kërkoi të këndoja një këngë shqiptare, gjëja e parë që më erdhi ndër mend ishte himni”, tha Bare. /Sport Ekspres/