Lojtarët e Vllaznisë kanë që prej muajit janar që nuk janë paguar dhe përgjigja e tyre ndaj kësaj situate ishte bojkoti i stërvitjes deri në momentin që do të paratë do të kalojnë në llogaritë e tyre bankare. Një situatë kaotike që nuk i ka aspak hije një klubi me histori dhe traditë në futbollin shqiptar. Ndërkohë një reagim në lidhje me këtë çështje ka reaguar edhe kryetarja e bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, e cila i shtron kërkesë zyrtare Këshillit Bashkiak.
Këta të fundit nuk janë mbledhur në takim për të miratuar buxhetin, duke bërë që të zvarriten gjërat deri në këtë pikë. Ademi shprehet se Bashkia e ka bërë detyrën e vetë duke miratuar buxhetin për këtë vit, ndërsa i takon tashmë Këshillit Bashkiak të bëjë shqyrtimin e nevojshëm dhe të japë dritën jeshile. Kryebashkiakja bën me dije se dëshiron që të veprohet me urgjencë dhe t’i jepet fund kësaj historie, pasi 3 qershori është afër dhe rifillimi i sezonit po afron./Halit Delibashi-Sport Ekspres/
Reagimi i plotë:
Bashkia e Shkodrës ka miratuar Buxhetin për vitin 2020 për Klubin e Futbollit Vllaznia sh.a. që në dhjetor të vitit 2019.
Jemi në fund të muajit maj 2020 dhe këshilli bashkiak akoma nuk ka shqyrtuar dhe miratuar pasqyrat financiare të KF Vllaznia sh.a., duke bllokuar vijimësinë e pagesave që nga muaji shkurt dhe deri në këtë moment që jemi, 22 maj 2020.
Në muajin shkurt, ka patur një përpjekje nga ana juaj për zhbllokimin e situatës tek KF Vllaznia sh.a., por vetëm aq.
Në momentin që flasim, futbollistët, stafi tekniko- sportiv, trajnerët e Akademisë dhe punëtorët e terreneve sportive, nuk kanë mundur të marrin pagat e tyre. E gjithë kjo, ka krijuar një situatë të rëndë që rrezikon të ketë impakt edhe në pjesën sportive, të rezultateve dhe objektivave për të gjitha ekipet e KF Vllaznia sh.a. në kompeticionet ku marrin pjesë.
Dua të vazhdoj të besoj që nuk ka ndonjë keqdashje në këtë zvarritje që po i bëhet zhbllokimit të financimit të punës së sportistëve dhe stafit të KF Vllaznia sh.a.
Në këto kushte, kërkoj nga ana juaj, me urgjencë dhe pa vonesa, shqyrtimin dhe miratimin e pasqyrave financiare, ne një mbledhje të thirrur nga Administratori i K.F.”Vllaznia”, për t’i hapur rrugën vijimin në normalitet të punës tek Klubi kuqeblu, i cili siç edhe klubet e tjera, kanë kaluar jo pak probleme edhe për shkak të pandemisë dhe Gjendjes së Fatkeqësisë Natyrore.
Siç jeni në dijeni, sezoni futbollistik rifillon me 3 qershor ndërsa ekipet kanë nisur stërvitjen.
Kësisoj, si Kryetare e Bashkisë Shkodër, duke përcjellë zërin e sportistëve dhe tifozerisë, kërkoj reagimin me përgjegjësi nga ana juaj.